Xhaferi për “Dojçe Vele”: Qeveria është e qytetarëve dhe shtetit, zgjedhja e kryeministrit shqiptar do të thotë përforcim i vlerave evropiane

Kryeministri Xhaferi në  intervistën për “Dojçe Vele” ka theksuar se duke pasur parasysh përvojën e tij shumëvjeçare politike dhe institucionale, ndihet komod në kryerjen e postit të ri të kryeministrit. Ai iu referua faktit se qeveritë u takojnë qytetarëve dhe shtetit dhe jo partive dhe se institucionet nuk mund të trajtohen si pronë personale e dikujt. Njëkohësisht, në intervistë ai theksoi se ajo që është e rëndësishme dhe prioritare pas ardhjes së tij në detyrë është institucioni që ai drejton të vazhdojë të jetë funksional dhe të vazhdojë të marrë vendime në interes të nevojave të qytetarëve.

“Qeveria është e qytetarëve dhe e shtetit, kështu që si institucion nuk mund të trajtohet si e imja, e juaja, Qeveria yte. Qeveria është e shtetit dhe pjesëmarrësit në atë qeverisje janë subjekte të ndryshme sipas gjendjeve tona aktuale, në kuptim të laramanisë të subjekteve politike që marrin pjesë”, theksoi Kryeministri Xhaferi.

Në lidhje me zgjedhjen e një kryeministri shqiptarë, Kryeministri Xhaferi theksoi se kjo është mbi të gjitha një vlerë e shtuar e reformave që po ndodhin në vend, duke pasur parasysh faktin se kjo zgjedhje në afat të gjatë do të nënkuptojë ndryshim të perceptimeve për të drejtat dhe mundësitë e të gjithë qytetarëve për të menaxhuar vendin, por edhe në raport me përgjegjësinë që sjell menaxhimi.

Në atë drejtim, ai theksoi se është shumë e rëndësishme të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike, të kenë pjesë dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në menaxhimin dhe funksionimin e shtetit, sepse ajo qasje nënkupton edhe përforcimin e ndjenjës së përkatësisë së të gjithë qytetarëve, por gjithashtu do të thotë dhe përforcim i vlerave evropiane.

“Të gjithë ne  kemi të njëjtat detyrime ndaj shtetit. Të gjithë kontribuojmë për shtetin dhe është normale që të gjithë duhet të kemi të drejtë të menaxhojmë edhe institucionet”- tha Kryeministri Xhaferi në  intervistën për “Dojçe Vele”.